Site icon Telegrafi

Ramajli: Delegatët e vitit 1990 ishin të vendosur për të çuar përpara vullnetin e popullit

Në seancën solemne për të shënuar 31-vjetorin e Deklaratës kushtetuese, Ilaz Ramajli, që ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e vitit 1990, tha se Deklarata kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, për të cilën tha se u ndërtua me lëvizjen paqësore për çlirim dhe kulmoi me luftën e drejtë të UÇK-së.

Ai tha se delegatët ishin të vendosur për të çuar përpara vullnetin e popullit

“Para 31 vitesh në këtë ditë të gjithë delegatë me kohë kishin ardhur për mbledhjen e Kuvendit e cila ishte caktuar rregullisht, por dyert e Kuvendit ishin mbyllur me urdhër të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, dhe të gjitha hapësirat e Kuvendit dhe organeve të tjera qeveritare në këtë ndërtesë ishin vendosur nën kontroll të plotë të njësive të policisë serbe e cila vepronte në kuadër të policisë federale të instaluar në Kosovë, në Kosovën e atyre ditëve të trazuara.

Përkundër mbylljes së dyerve të Kuvendit, delegatët si e dini tanimë, duke qenë të vendosur për të çuar në vend vullnetin politik të popullit të Kosovës, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit, nën qiellin e hapur e mbajtën mbledhjen e 2 Korrikut dhe shpallën deklaratën kushtetuese”, tha ai.

Më 2 korrik të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, në rrethana të shtetrrethimit policor e ushtarak serb, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, miratuan një nga dokumentet historike kushtetuese për statusin e ardhshëm politik të Kosovës: Deklaratën kushtetuese për Kosovën, njësi e pavarur në kuadër të ish-Federatës së atëhershme të Jugosllavisë.

Në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës u shfaqë edhe një fragment nga filmi dokumentar me titull “Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, i autorit Nuhi Bytyçi.

Gjithashtu, u bë zbulimi i një pllake para Kuvendit të Kosovës, në vendin ku është shpallur Deklarata kushtetuese.

Exit mobile version