Telegrafi

Ramadani: Vetëm 38.8 për qind e popullatës e kanë kaluar coronavirusin

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka thënë në një konferencë për media me ministrin Vitia se pas analizave që janë bërë nga shpërthimi i pandemisë, është vërtetuar se ende nuk është arritur imuniteti kolektiv në Kosovë kundër coronavirusit.

“Në hulumtim rezultatet tregojnë se vetëm 38.8 për qind e popullatës kanë IGG pozitive (që e kanë kaluar coronavirusin), që do të thotë se rezultatet tregojnë qartë se akoma s’është arritur imuniteti kolektiv i kënqashëm që duhet për t’u mbrojtur në mënyrë natyrale nga COVID-19”, tha Ramadani.

Ai ka bërë thirrje për vaksinim, duke thënë se imunizimi është zgjidhja e vetme për mposhtje të pandemisë.

“Mbetet që masa më e lirë dhe më e mirë në mbrojtje mbetet vaksinimi masiv që aktualisht po e bën MSH-ja, duke siguruar vaksina të mjaftueshme të dyja llojeve që janë të sigurta për të gjithë popullatën”, tha Ramdani, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se pjesa më e madhe të infektuarve aktualisht është nën moshën 50-vjeçare.

Ramadani ka thënë se autoritetet janë duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të fëmijëve nga mosha 12-vjeçare.

“Fuqishëm rekomandojmë vaksinimin e personave mbi 18 vjeç. Tashmë Komiteti për Imunizim në Ministrinë e Shëndetësisë është duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të moshave 12 deri në 15 vjeç me prioritet, sipas indikacioneve shëndetësore”, ka thënë Ramadani. /Telegrafi/