Prishtina fitoi 1-0 ndaj Ballkanit në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës.
Bardheklatrit fituan fal auto-golit të shënuar nga ish-lojtari i tyre, Armend Thaqi në pjesën e parë.
Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani është shprehur i kënaqur me lojën që zhvilluan lojtarët e tij.
“Ishim përgatitur për një derbi të vërtetë, për një luftë sportive në mesfushë dhe e arritëm qëllimin. I thash futbollistëve se duhet të luftojmë të shënojmë një gol për barazim apo fitore dhe doli që ai autogol të jetë vendimtar për fitoren”, ka thënë strategu i skuadrës nga kryeqyteti pas ndeshjes për Art Sport.
“Ajo ndeshje ndaj Gjilanit tregoi se ishte vetëm një ditë e keqe dhe nuk ishte fati në anën tonë”.
“E nisëm mirë, fituam Superkupën dhe tani jemi edhe në garë për Kupën e Kosovës. Janë nëntë finale për ne, por edhe për Dritën edhe Ballkanin dhe shpresojmë që në fund të dalim mirë”, ka deklaruar Ramadani.
Pas kësaj fitore, Prishtina ndodhet e treta në tabelë me 54 pikë, një më pak se Ballkani dhe katër më pak se Drita. /Telegrafi/