Trajneri i Dritës, Zekirija Ramdani, në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Gjilanin tha se ekipi i tij me shumë mund dhe sakrificë arriti që të shkëputë një pikë.
Drita luajti baras 2-2 ndaj Gjilanit në derbin e Anamoravës në kuadër të javës së 26-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
“Golat, dyluftimet, kartonat janë pjesë e derbit. Lëshuam dy pikë me të nisur ndeshja. Kaluam në avantazh. Jo që nuk na rrezikoi Gjilani, por golin e parë e shënuam ne. Te goli i dytë na ra përqendrimi, por nuk është e lehtë të luash tri ndeshje rresht shumë të vështira, në fusha të vështira”, ka thënë fillimisht Ramadani.
“E menaxhuam mirë rezultatin pasi mbetëm me një lojtar më pak në fushë. Barazimi ndoshta është rezultat real. Kur nuk fiton, është mirë mos ta humbësh ndeshjen. Këtë sot e arritëm me shumë mund, shumë sakrificë”, përfundoi Ramadani.
Drita do të ketë punë të vështirë javën e ardhshme teksa do të jetë mysafire e Malishevës në stadiumin “Liman Gegaj”./Telegrafi/