Site icon Telegrafi

Ramadani, Sylës: Fshehja nga drejtësia nuk është zgjidhje

Policia e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një aksion në 42 lokacione, që lidhet me hetimin e një grupi të madh të krimit të organizuar, i cili ka qenë aktiv që nga viti 2006 e deri më sot.

Në krye të këtij grupi qëndron deputeti i PDK-së, Azem Syla, i cili sipas prokurorisë vazhdon të jetë në arrati.

Lidhur me këtë aksion të zhvilluar sot, njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani ka thënë për Telegrafin se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është beteja e Kosovës që duhet të fitohet dhe do të fitohet.

“Kësaj fitoreje të Kosovës domosdoshmërish i kontribuon ndërrimi i strukturave politike dhe strukturave të lidhura me krimin e organizuar. Atëherë do të jemi të sigurt se fillon qartësisht fitorja e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë Ramadani.

Duke folur për arratisjen e deputeti Syla, Ramadani ka theksuar se fshehja nga drejtësia nuk është zgjidhje.

“Fshehja nga drejtësia nuk është dhe as që duhet të mendohet si zgjidhje. Fatkeqësisht, disa nga pushteti deri më tash janë fshehur dhe disa nga opozita nuk e njohin drejtësinë. Por, kjo është logjikë e papranueshme”, u shpreh Ramadani.

Ai më pas ka shtuar se imazhi i asnjërës parti nuk është më i rëndësishëm se lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

“Se kujt apo se si do t’i dëmtohet imazhi, besoj se s’ka të bëjë fare me thelbin”, tha Ramadani, duke shtuar se ky është operacioni më i madh në historinë e pasluftës në Kosovë, në lidhje me krimin financiar. “Shpresoj të jetë vetëm fillimi, ndaj kujtdo qoftë”, tha ai./Telegrafi/

 

Exit mobile version