Telegrafi

Ramadani: Siguria publike meriton trajtim institucional

Drejtori i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Burim Ramadani, ka bërë me dije se sfidimi kryesor i sigurisë nacionale dhe humane mbetet tek brishtësia e shtetit në tërësi.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Ramadani ka thënë se stabiliteti politik dhe institucional është parakushti themelor për sigurinë në vend.

“Niveli i sigurisë është i sfiduar vazhdimisht, megjithëse institucionet e sigurisë kanë arritur ta mirëmbajnë kontrollin. Sfida kryesor e sigurisë edhe nacionale dhe humane mbetet tek brishtësia e shtetit në tërësi. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, përkatësisht është e domosdoshme, forcimi i shtetit në të gjitha dimensionet e saj. Tashmë Kosova ka qeverinë e re dhe sigurisht se pres që kjo gjendje të definohet në veprime institucionale dhe politika të reja të sigurisë. Në këtë aspekt besoj se duhet të presim të shohim se cilat do të jenë këto politika të reja të sigurisë dhe në çfarë shkalle do të jetë zbatimi i tyre. Qartësisht, stabiliteti politik dhe institucional është parakushti themelor për sigurinë”, ka deklaruar Ramadani.

Ai ka thënë se siguria publike është një prej dimensioneve të sigurisë që meriton trajtim gjithëpërfshirës institucional.

Ramadani ka theksuar se vendosja e kamerave në qytet, polici i lagjes, rritja e bashkëpunimit të komunitetit me policinë, largimi i armëve ilegale nga duart e qytetarëve, luftimi i narkotikëve, sidomos nga gjeneratat e reja, ndriçimi publik, sikurse edhe një strategji gjithëpërfshirëse për sigurinë publike, janë veprime që duhen ndërmarrë në partneritet midis nivelit qendror dhe lokal të pushtetit. /Telegrafi/