Telegrafi

Ramadani: Shtetasi rus i UNMIK-ut ka rrezikuar sigurinë e Kosovës

Zëvendësministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Burim Ramadani, përmes një postimi në Facebook ka thënë se shtetasi rus Mikhail Krasnoshchenkov ka rrezikuar sigurinë e Kosovës.

Prandaj, sipas Ramadanit, përcjell Telegrafi, shpallja “Non Grata” është veprim mbrojtës i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Rrezikimi i sigurisë është bërë kryesisht përmes anësimit, keqpërdorimit të aseteve të OKB-së, si dhe pengimit të operacionit ligjor dhe legjitim në luftim të kontrabandës”.

“Shpallja e tij si person ‘Non Grata’ është në përputhje të plotë me kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Bazuar në Nenin 3.2 dhe Nenit 4.4 të Ligjit për Statusin, imunitetet dhe privilegjet e misioneve diplomatike, konsullore dhe personelin e Kosovës dhe praninë ndërkombëtare ushtarake, si dhe personelin e saj”.

“Policia e Kosovës, gjatë operacionit ligjor dhe legjitim, ka vepruar në formë të drejtë dhe profesionale, duke ndaluar dhe, pas identifikimit të tij si shtetas rus dhe zyrtar i UNMIK-ut, e ka liruar”, ka shkruar Ramadani në Facebook. /Telegrafi/