FC Prishtina nuk ka arritur të fitojë në shtëpi ndaj Ulpianës, duke barazuar me rezultat 1-1 në kuadër të javës së shtatë.
Pas takimit, trajneri Zekirija Ramadani, ka thënë se lojtarët e tij po qasen shumë vonë në ndeshje, ndërsa foli edhe për VAR-in që i la me një lojtar më pak.
“E para, unë mendoj që ndeshjet këtë sezon nuk jemi duke i nisur ashtu siç duhet, në çdo ndeshje përveç Feronikelit kemi pranuar gol. Disa të lehtë, disa për shkak të gabimeve tona, por i takon edhe merita kundërshtarëve për disa nga golat e shënuar”.
“1-1 rezultati më brengos, pasi kishim një skuadër që nuk ka objektiva të njëjta sikurse ne, të paktën nga ato që kanë deklaruar. Brenda 7 xhirove kemi 2 karton të kuq, kjo është e pafalshme. Unë vazhdoj të ia rikujtoj lojtarëve përpara çdo takimi, kujdes nga VAR-i”.
“Çdo stërvitje, ia përmendi punën e VAR-it. Duhet të kemi më shumë kujdes. Ne duhej të merrnim mësim nga ndeshja mes Gjilanit dhe Llapit. Qasja në ndeshje është me vonesë, jo vetëm me Ulpianën por edhe në të tjerat. Duhet të punojmë në këtë drejtim dhe në punën e VAR-it”, ka thënë Ramadani.
Tutje trajneri shkupjan ka folur edhe për Besart Berishën, duke thënë se ai pas pauzës së kombëtareve do të jetë gati.
“Besart Berisha do të na ndihmojë shumë në pjesën e mbetur të kampionatit, por do t’i ndihmojë gjithashtu të rinjtë e skuadrës që janë në pjesën ofanzive. Pas pauzës së kombëtareve, ai do ta marrë veten dhe pritet të luajë”, ka thënë Ramadani. /Telegrafi/