Zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Burim Ramadani ka vlerësuar se përfshirja e pjesëtarit të FSK-së në keqpërdorim seksual, është veprim i papranueshëm.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ramadani ka shkruar se ky rast nuk përfaqëson shpirtin dhe integritetin e FSK-së.
“Me indinjim dhe keqardhje mësova mbi dyshimet që një pjesëtar i FSK-së ka kryer veprën penale keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare. Kjo është e papranueshme, e dënueshme dhe e patolerueshme. Ky rast i dyshuar nuk përfaqëson shpirtin dhe integritetin e Forcës sonë”, ka shkruar Ramadani, transmeton Telegrafi.
Ai tutje ka inkurajuar gjyqësorin që të ndërmarrë veprimet e duhura, dhe të shqiptojë dënimet meritore.
“Shpreh keqardhjen më të thellë për të dëmtuarën dhe familjen. Gjithçka mbetet në dorën e drejtësisë dhe, në rast të vërtetimit të dyshimeve, inkurajoj gjyqësorin të ndërmerr veprimet më meritore në ndëshkim. Deri në vendimin gjyqësor, të gjitha masat ligjore do të zbatohen”, përfundon postimi i Burim Ramadanit.
Ndryshe Prokuroria më herët njoftoi se një pjesëtar i FSK-së, është arrestuar nën dyshimin se ka keqpërdoru seksualisht një të mitur. /Telegrafi/