Ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, ka thënë se dorëheqja e sotme e drejtorit të Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA) Aleksandar Vulin është e vonuar.
Ramadani përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se dorëheqja e tij lidhet me sulmin terrorist të 24 shtatorit.
“Vulin duket se ka dhënë dorëheqje. Dorëheqje e vonuar dhe e ndërlidhur drejtpërdrejt me përgjegjësinë e tij në sulmin e armatosur terrorist të Grupit ParaMilitar më 24 shtator 2023.
Vulini ishte futur në Listën e Zezë amerikane më 11 korrik 2023, ndërsa dy muaj e gjysmë më vonë ai së bashku me Mojsilloviqin dhe Vuçeviqin ishte një prej organizatorëve të sulmit ndaj Kosovës dhe NATO-s”, tha Ramadani.
E sipas tij, tash radhën për dorëheqje e ka presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Rendi mbetet tek Vuçiqi. Edhe ai do të shkojë! Që të dy Aleksandart e Serbisë e kanë një idol: Sllobodan Millosheviqin”, ka shkruar ndër të tjera Ramadani në Facebook. /Telegrafi/