Telegrafi

Ramadani: Objektivi i Feronikelit është që të shkojë sa më larg në LK

Trajneri i Feronikelit, Zekirja Ramadani, i është gëzuar fitores së skuadrës së tij kundër Lincoln Red Imps FC në ndeshjen gjysmëfinale në kuadër të raundit preliminar në Ligën e Kampionëve.

Kampioni i Kosovës fitoi me vështirësi (1-0), mirëpo e siguroi pjesëmarrjen në finalen parakualifikuese, ku do të luajnë kundër FC Santa Coloma.

(Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova)

“Dua t’i uroj futbollistët për fitoren se ishte një ndeshje e vështirë një fitore e mundimshme dhe aspak e lehtë”, ka thënë Ramadani për RTK-në, duke sqaruar se arsyeja pse ra forma e skuadrës në pjesën e dytë ishte për faktin se skuadra e tij nuk ka zhvilluar një lojë konkurruese prej përfundimit të sezonit në Superligë.

Lexo po ashtu Feronikeli fiton ndaj Lincolnit dhe bën një hap të madh në raundin parakualifikues në LK

Strategu ka thënë se takimi doli më i vështirë se që kishin pritur, por është shprehur i kënaqur me fitoren.

Ai ka thënë se objektivi ndaj Santa Colomas (më 28 qershor) është vetëm fitorja dhe se i ka lojtarët e duhur për ta arritur atë qëllim.

Ramadani ka theksuar se do të ketë ndryshime në formacion për takimin e të premtes dhe se ekipi i tij planifikon të shkojë sa më larg në Ligën e Kampionëve.

“Nuk kemi ndërmend të ndalemi pos nëse na ndal ndonjë skuadër”, ka thënë trajneri duke theksuar se do t’i marrin ndeshjet një nga një. /Telegrafi/