Trajneri i Feronikelit, Zekirja Ramadani, i është gëzuar fitores së skuadrës së tij kundër Lincoln Red Imps FC në ndeshjen gjysmëfinale në kuadër të raundit preliminar në Ligën e Kampionëve.
Kampioni i Kosovës fitoi me vështirësi (1-0), mirëpo e siguroi pjesëmarrjen në finalen parakualifikuese, ku do të luajnë kundër FC Santa Coloma.
“Dua t’i uroj futbollistët për fitoren se ishte një ndeshje e vështirë një fitore e mundimshme dhe aspak e lehtë”, ka thënë Ramadani për RTK-në, duke sqaruar se arsyeja pse ra forma e skuadrës në pjesën e dytë ishte për faktin se skuadra e tij nuk ka zhvilluar një lojë konkurruese prej përfundimit të sezonit në Superligë.
Strategu ka thënë se takimi doli më i vështirë se që kishin pritur, por është shprehur i kënaqur me fitoren.
Ai ka thënë se objektivi ndaj Santa Colomas (më 28 qershor) është vetëm fitorja dhe se i ka lojtarët e duhur për ta arritur atë qëllim.
Ramadani ka theksuar se do të ketë ndryshime në formacion për takimin e të premtes dhe se ekipi i tij planifikon të shkojë sa më larg në Ligën e Kampionëve.
“Nuk kemi ndërmend të ndalemi pos nëse na ndal ndonjë skuadër”, ka thënë trajneri duke theksuar se do t’i marrin ndeshjet një nga një. /Telegrafi/