Kreu i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani ka kritikuar qytetarët për shkak të mos zbatimit të rekomandimeve anti-COVID-19, si mbajtja e maskave, respektimi i distancës sociale dhe higjiena personale në kohën kur vendi ynë po përballet me shtim të numrit të rasteve të reja me koronavirus.
Ai ka paralajmëruar se do të ketë shtim të rasteve të reja në rast të vazhdimit të mos zbatimit të masave dhe rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.
“Situata në terren është e rënduar me raste të shtuara sidomos dy javët e fundit dhe duke pasur parasysh se këto raste janë shtuar praktikisht duke mos iu përmbajtur masave dhe rekomandimeve. Nëse qytetarët nuk e marrin seriozisht, do të ketë rritje ditët e ardhshme”, u shpreh Ramadani për RTK.
Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 487 raste të reja me COVID-19 dhe 9 viktima si pasojë e sëmundjes së rrezikshme.
Shifrat e fundit rekorde në nivel 24 orësh në vendin tonë vijnë në kohën kur e gjithë bota po përballet me një valë të re të virusit të ri që shpërtheu në dhjetor të vitit të kaluar në Kinë.