Site icon Telegrafi

Ramadani në Slloveni: Tranzicioni i FSK-së është proces legjitim

Një delegacion i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, i përbërë nga zëvendësministri, Burim Ramadani, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe këshilltari ushtarak i komandantit kolonel Jeton Dreshaj, po qëndron për një vizitë zyrtare në Slloveni në Kampanjën informuese për tranzicionin e FSK-së.

Në vizitën e tij të parë, delegacioni i FSK-së u prit nga Ales Mismas, drejtor për Politika në Ministrinë e Mbrojtjes të Sllovenisë.

Ministri Ramadani dhe gjeneral Rama e njoftuan drejtorin për politika Ales Mismas me të arriturat e përgjithshme të FSK-së dhe në veçanti me procesin e tranzicionit të FSK-së.

Lidhur më këtë Ramadani u shpreh se tranzicioni i FSK-së do të kontribuojë në sigurinë rajonale, duke e bërë Kosovën ofrues të sigurisë dhe jo vetëm konsumues të saj.

“Tranzicioni i FSK-së është proces legjitim, gradual, transparent dhe i qëndrueshëm”, tha ai.

Kurse, Ales Mismas tha se angazhimi i përbashkët Kosovë-Slloveni në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut A5, si dhe rruga për anëtarësimin e Kosovës në NATO, janë çështje në të cilat Sllovenia mbështet Kosovën.

Gjatë takimit të përbashkët, ndër të tjera ata biseduan edhe për marrëdhëniet e mira dypalëshe midis dy shteteve dhe dy ministrive, duke nënvizuar thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përgjithshëm për të dyja vendet dhe dy ministritë. /Telegrafi/

Exit mobile version