Telegrafi

Ramadani: Në cilën kohë po jeton Marko Gjuriqi?

Zëvendësministri i Mbrojtjes, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm e të AAK-së, Burim Ramadani, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka akuzuar kryeminsitrin Haradinaj për mos zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.

Ramadani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Serbia po mohon krimet tash e 20 vjet. Mohimi i krimeve është krim për së dyti. Dhe, kjo po ndodh në sytë e krejt botës, prandaj edhe Serbia nuk mund të portretizojë Kosovën si jokonstruktive”.

Postimi i plotë i Ramadanit:

“Paska folur Gjuriqi, sipas traditës, sërish diçka kundër Kryeministrit Haradinaj.

E vërteta është se Serbia po mohon krimet tash e 20 vjet. Mohimi i krimeve është krim për së dyti. Dhe, kjo po ndodh në sytë e krejt botës, prandaj edhe Serbia nuk mund të portretizojë Kosovën si jokonstruktive.

Askush nuk i merr seriozisht deklaratat e Gjuriqit dhe udhëheqësve të tij.

Sepse, janë mohues të krimeve.

Deklaratat e mohuesve të krimeve në kohën e globalizmit, as nuk blihet dhe as nuk merret përnjëmend.

Vlerat e njerëzimit janë, megjithatë, mbi të gjitha. Vlerat europiane promovojnë përgjegjësinë për krimet.

Në cilën kohë po jetojnë Gjuriqi dhe të tjerët?”, ka shkruar Ramadani.

Reagimi i Ramadanit vjen pasi drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, për qasjen e tij anti-dialog me Serbinë.

“Për dy vite, Haradinaj ka shkatërruar të gjitha marrëveshjet Kosovë – Serbi. Ai është duke bërë gjithçka që ta ulë rëndësinë e dialogut Beograd – Prishtinë. Kjo po ndodhë në sytë e gjithë botës”, citojnë mediat të ketë thënë Gjuriq. /Telegrafi/