Analisti politik Ismet Ramadani në një intervistë për televizionin Shenja deklaroi se shpalosja e të ashtuquajturit program qeveritar nga ana e kryetarit të LSDM-së mund të shihet si hap për të qetësuar ata që janë të manipuluar dhe në mënyra të ndryshme sulmojnë platformën shqiptare. Ramadani mendon se ende ka çështje që duhet të diskutohen në bisedimet ndërmjet partive maqedonase dhe atyre shqiptare, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Edhe pse nuk është e zakonshme dhe nuk ka ndodhë herave tjera, që kandidati për premier ose mandatari të shpalos programin qeveritar në këtë mënyrë, mirëpo në këtë situatë të krijuar problemi që ndodhi me mos ndarjen e mandatit nga presidenti, detyroi liderin e LSDM-së të shpall një draft sa për të qetësuar ata që janë të manipuluar dhe sulmojnë platformën shqiptare. Platforma shqiptare kuptohet se në programin e Zaevit nuk është copy-paste, ashtu si janë pikat aty, por meqë është në një mënyrë në funksion të programit të ardhshëm qeveritar, atëherë del sikur nuk janë të përfshira në mënyrë taksative të gjitha pikat, që eventualisht janë biseduar mes BDI-së dhe LSDM-së. Por ata janë çështje që me siguri do të bisedohen më tutje, për shkak se ka rezerva në atë që është biseduar”, tha Ramadani./Telegrafi/