Prishtina e ka fituar ndeshjen kryesore të xhiros së 18-të në Superligën e Kosovës në futboll duke e mposhtur Ballkanin me rezultat 2-1.
Shifrat ishin identike deri në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur Leutrim Kryeziu u pengua në zonë nga Arbër Potoku dhe gjyqtari akordoi penallti. I saktë nga pika e bardhë u tregua Besnik Krasniqi që me golin e tij i siguroi fitoren kryeqytetasve 2-1.
Duke komentuar ndeshjen, trajneri i bardhekaltërve ka thënë se zhvilluan një gjysmë të parë të vështirë, porse në fraksionin e dytë u kthyen me një skemë ndryshe duke ndërtuar raste shënimi.
Ramadani ka theksuar se penalltitë në minutat e fundit lënë gjithmonë hapësirë për komentime të ndryshme nga ekipet kundërshtare.
Ai është shprehur i kënaqur me lojën e përbashkët të skuadrës së tij, e cila arriti një triumf shumë të rëndësishëm përballë kandidatit për titull.
Fitorja e ka afruar Prishtinën në shtatë pikë me Ballkanin, derisa ekipi nga Suhareka ka mbetur një pikë prapa Dritës që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. /Telegrafi/