Zëvendësministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka thënë se i kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ,sot i ka duartrokitur Ramush Haradinajt, duke thënë se taksa 100 për qind nuk duhet të hiqet.
Ramadani, përmes një postimi në Facebook, e ka përgëzuar Mustafën për këtë qëndrim, por edhe ka pyetur se sa e ka seriozisht LDK-ja një gjë të tillë.
“Ramush Haradinaj nuk e hoqi taksën dhe nuk u lëkund asnjë sekondë. Sot, Isa Mustafa i paska duartrokitur Haradinajt sepse paska thënë që taksa nuk duhet të hiqet. Shumë mirë. Saktë, kështu duhet. Por, nuk e di sa seriozisht e ka ai dhe LDK-ja?”, tha Ramadani.
Postimi i plotë i Ramadanit:
“Taksa deri në njohje 100 %
Ramush Haradinaj nuk e hoqi taksën dhe nuk u lëkund asnjë sekondë.
Sot, Isa Mustafa i paska duartrokitur Ramushit. Sepse, paska thënë që taksa nuk duhet të hiqet. Shumë mirë. Saktë, kështu duhet.
Por, nuk e di sa seriozisht e ka ai dhe LDK-ja?
E gozhduan për çdo ditë në forma e metoda prej më të këqijave shumëkush në Kosovë, fatkeqësisht dhe çuditshëm.
E vërtetë që herët e vonë, sikurse thotë populli, e drejta triumfon. Qëndrimi i drejtë i Ramush Haradinajt kuptohet mirë nga secili që dëshiron të hapë sytë” (sic.), ka shkruar Ramadani.
Ndryshe, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklauar sot se, “Taksa duhet të vazhdojë derisa Serbia të mos ndërrojë qëndrimet e veta dhe përderisa mos të reflektojë në të gjitha këto sjellje të bllokadës që po i bën Kosovës”. /Telegrafi/