Telegrafi

Ramadani: Fitore e mirëseardhur, por nuk jam i kënaqur me lojën e ekipit tim

Prishtina e ka gjetur rrugën drejt fitores pas tri disfatave radhazi, mirëpo për trajnerin e kryeqytetasve, Zekirja Ramadani, kjo nuk ka mjaftuar.

Ai nuk u shfaq aspak i kënaqur pas triumfit 1-0 ndaj Arbërisë, derisa i përgëzoi futbollistët e tij vetëm për shpirtin luftarak të shfaqur në fushën e lojës, mirëpo jo edhe për lojën e bërë.

“Nëse jemi të sinqertë, nuk jam aspak i kënaqur. Megjithëse është një fitore shumë pozitive dhe shumë e domosdoshme, unë mund të ju them se nuk jam aspak i kënaqur me lojën që treguam”.

“Ka ende vende për përmirësime dhe ne duhet të gabojmë sa më pak. Pozitive ishte shpirti luftarak i shfaqur nga futbollistët, i cili ishte më i theksuar nga ndeshjet e kaluara”, ka thënë Ramadani për “Art Sport”.

Prishtina tashmë renditet në pozitën e pestë të renditjes tabelare me 14 pikë të tubuara. /Telegrafi/