Prishtina është rikthyer te fitoret pasi ka mposhtur Drenicën me rezultat minimal 1-0.
Ka qenë goli i Besnik Krasniqit në minutën e 82-të që i ka dhënë tri pikët bardhekaltërve nga kryeqyteti.
Me këtë fitore, kampioni në fuqi i Kosovës ngritët në vendin e pestë në tabelë me 16 pikë, gjashtë më pak se lideri Drita.
Pas ndeshjes trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani është shprehur i lumtur me tri pikët, pasi kanë mposhtur një skuadër që gjithmonë i shkakton probleme.
“Nëse marrim parasysh presionin e rezultateve unë mendoj se kemi luajtur mirë, mungesa e rezultateve e bën problemin e vetë, kishim përballë një skuadër që tradicionalisht e kemi pas ters, u angazhuam për këtë fitore, i uroj futbollistët për fitoren”, tha Ramadani.
Tutje trajneri shkupjan i kryeqytetasve tha se ekipi i tij është në një krizë, por që është bindur se kanë potencial për ta mbrojtur titullin.
“Është një krizë e ekipit, duhet të dimë ta menaxhojmë këtë krizë, unë jam i bindur që ekipi ka potencial për kreun e tabelës dhe për ta mbrojtur titullin, lëndimet po na penalizojnë, pasi asnjëherë nuk e kam pas ekipin e plotë”, deklaroi Ramadani.
Në xhiron e 13-të në BKT Superligë, Prishtina do të përballet me Gjilanin në udhëtim. /Telegrafi/