Site icon Telegrafi

Ramadani: E merituam fitoren, pjesa e dytë vendimtare

Drita ka fituar sërish derbin, i dyti radhazi këtë edicion ndaj Gjilanit në Albi Mall Superligë.

Skuadra bardhekaltër përkundër se nuk e kishte ndihmën e tifozëve nga tribunat, arriti një fitore të madhe 0-1 falë një gol nga Blerim Krasniqi.

Pas ndeshjes ka folur trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani duke thënë se në pjesën e parë nuk ishin të mirë dhe ndryshimet e bëra në pjesën e dytë sollën sukses.

“Ishte derbi i vërtetë. Të dyja skuadrat bënë më të mirën, luftuan në mesfushë. Pjesën e parë nuk e fituam por bëmë ndryshime në pjesën e dytë. U fut edhe një lojtar më tepër në mesfushë që na solli situatën në krah nga ku edhe shënuam golin. Ishte gol i bukur i Blerim Krasniqit. E dinim që me një gol mund edhe të mbaronte ndeshja, ashtu siç përfundojnë shumica e derbive”.

Lexo po ashtu Drita vazhdon të sundojë në qytet, mposht Gjilanin në derbin e Anamoravës

“Unë kam besim te Muharrem Jashari. Te Trepça ’89 kemi qenë bashkë, ai ishte 17-vjeçar. Kam besim të madh tek ai. Është futbollist me shpejtësi, teknikë, vizion e me pasime të mira, por ndihmon edhe në defanzivë. Broja në qendër të mbrojtjes po luan pasi më duhet si organizues i lojës. Edhe me Florjan Smakiqin kemi qenë te Feronikeli. Ne mundohemi t’i mbajmë skuadrat lartë por i kam thënë se duhet të jeshë i vëmendshëm pasi mund të vijë ndonjë rast ku duhet të intervenosh”, ka thënë fillimisht Ramadani.

Ramadani tutje ka folur për grupin duke thënë që të gjithë lojtarët që luajtën bënë mirë, derisa sa i përket afatit kalimtar të janarit nuk la të kuptohet se do të marrin ndonjë futbollistë.

“Të gjithë dhanë maksimumin dhe me plot meritë arritëm te fitorja. Duhet të jemi të qetë dhe duhet vazhduar edhe në Kupë edhe në ligë. Çdo trajner kërkon të ketë sa më shumë lojtarë”.

“Puna vështirësohet kur ke 2-3 lojtarë për secilën pozitë, por kush është në formë luan. Pasi të mbarojë sezoni vjeshtor, do të ulemi e do të bëjmë analizë të përgjithshme. Afati kalimtar i janarit është i varfër me lojtarë dhe nuk guxojmë të lirojmë lojtarë e të mos marrim asnjë”, tha Zekirija Ramadani. /Telegrafi/

Exit mobile version