Pesë kandidatët që i kishin hyrë garës për rektorin e UP-së, ishin Ramadan Zejnullahu, Behxhet Mustafa, Adem Nura, Anton Berishaj, Berim Ramosaj dhe Isuf Musliu.
Zejnullahu është profesor i Matematikës në Universitetin e Prishtinës.
Rektori i ri do të ketë mandat dyvjeçar për periudhën e mbetur të mandatit paraprak, përkatësisht deri më 30 shtator të vitit 2016.
Rektori i ri i UP-së menjëherë pas zgjedhjes në këtë post ka lëshuar një deklaratë:
Kam kënaqësi ta falënderoj Këshillin Drejtues për besimin që ma kanë dhënë për ta udhëhequr gjatë dy viteve të ardhshme institucionin më të madh arsimor dhe shkencor në vend.
Se universiteti ynë më i vjetër ka mjaft probleme themelore, kjo tashmë është e qartë për publikun e gjerë. Jam i vetëdijshëm për peshën e pozitës së rektorit dhe i gatshëm që së bashku me stafin e studentët, dhe në konsultim me institucionet relevante, të fillojmë t’i adresojmë me seriozitet problemet akute në UP.
Unë do të tentoj t’i mobilizoj të gjitha kapacitetet dhe në transparencë me taksapaguesit kosovarë, të cilët na financojnë me bujari, të shënojmë progres të dukshëm për UP-në dhe rrjedhimisht për arsimin e shkencën kosovare në përgjithësi.
Kjo detyrë nuk është e lehtë, por e vetmja mundësi për ta realizuar misionin e rëndësishëm të UP-së është nëse secili e kryen detyrën me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Unë jam i lumtur që këto parime do t’i vë në shërbim të universitetit të parë në Kosovë, që ka kapacitet për ta transformuar për të mirë shoqërinë tonë, siç ka bërë shpesh në të kaluarën./Telegrafi/