Site icon Telegrafi

Ramadan Muja ka “të drejtë”

Nuk është traditë e njerëzve të këtij vendi kjo: askush nuk jep dorëheqje kaq lehtë në këtë shtet… Pse u dashka vetëm Ramadan Muja të jap dorëheqje? Çfarë bëri ai më tepër se të tjerët që ta dorëzojë qysh në goditjen e parë postin e fituar me votën e lirë të qytetarëve? Cili funksionar shtetëror apo komunal veproi deri tash në këtë mënyrë.

Se mos dha dorëheqje Bujar Bukoshi nga pozitat e tij ministrore? Edhe Muja i bjeshkëve tona, si shumë të fuqishëm tjerë deri më tani, ndoshta mbetet vetëm i dyshuar, pas parashtrimit të ankesës! Kjo është bërë tanimë traditë gjyqësore me shumë raste në Kosovë…

Madje, si ka mundësi që të gjithë bashkëpartiakët e Mujës të ngarkuar me nga dy e tri vepra penale, të dënohen me vetëm nga dy-tre vjet burgim apo kohëzgjatje pothuajse të njëjtë sa edhe Ramadan Muja me vetëm një precedencë të supozuar për të cilën është dënuar me kusht!

Sikur nuk e di njerëzimi se homologët e tij bënë vepra shumë më të rënda. Bajrush Xhemajli me kolegët e dehur mbyti një djalosh 19 vjeçar dhe për më tepër se dy vjet pas dënimit të parë jo vetëm që nuk shkoi asnjëherë në burg, por tanimë atij iu zbrit edhe dënimi "kapital" nga dy vjet e gjysmë në vetëm dy vjet.

Kjo është forca, ky është pushteti, ndaj me sa mend në kokë duhet të jenë ata "misionarë" të vetmuar që mund të dorëzojnë aq lehtë pozitën dhe funksionin me të cilin ata shalojnë ligjin e pjerrin edhe mbi shtetin duke shpëtuar veten nga gjithçka…

Njerëzit pyesin me habi, çfarë nënkupton vendimi i fundit. Asgjë, apo ndoshta edhe një udhëtim më tepër jashtë, i njëjtë si me atë të homologut Zharku.

Edhe Bajrushit tashmë mund t’i jetë prerë bileta dhe përgatitur valixhet për ikje nga vendi, në mënyrë që të mos e vuajë as dënimin e zbritur.

Xhabir Zharku, tash e sa kohë, kalon vitet i lirë dhe i pa cenuar në Suedi?! Madje ai, jo për një, por për disa vepra penale ishte dënuar me vetëm dy-tre vjet burgim, të cilat as ato nuk i mbajti kurrë, por i veshur me kostum të shtrenjtë dhe kravatë të zgjedhur si njeriu "më i pafaj" i pikur nga qielli, i pasur në tokën tonë të varfër, kaloi i lirë përmes dyerve të hapura të Aeroportit "turko-kosovar" me lejen e Hashimit dhe bekimin e Erdoganit, pa therë në këmbë për në Suedi ku bën kokrrën e sefasë. Ndoshta duke i hequr mërzitë restoranteve të huaja, për lehtësimin e dhembjeve të Atdheut me "serenata" patriotike mbrëmjeve të veçanta muzikore, sponsorizuar nga buxheti i Kosovës, me pagën që ende merr, njëjtë si ish ambasadori ynë në Shqipëri?!

"Mirë" të gjitha, po Sylejman Selimit, ç`ju desh të vinte në Kosovë, apo nuk e dinte se çfarë e priste këtu?! Të paktën, luftëtari i orëve të para duhej të mësonte nga veprimet e varësit të tij, Xhabirit i cili edhe me grada ishte më i vogël se Komandanti, apo ndoshta Gjeneralin e "lidhën" shokët me tradhti.

Sidoqoftë, para se të vazhdojmë me "arsyetimin" e Ramadan Mujës, të kujtojmë se edhe për Sami Lushtakun sikur është kërkuar ndalimi i ushtrimit të "funksionit". Megjithatë, sipas shtypit vendor, ai jo vetëm se nuk e la pozitën e "fituar" me " aq djers e mund" dhe 96 për qind të votave të "merituara", por së pari atij iu mundësua që nga "azili" ku ishte edhe me precedencë penale të "betohej për korrektësi para ligjit", "e drejtë" kjo të cilën më vonë kërkoi ta shfrytëzonte edhe Oliver Ivanoviqi, ndërsa "heroi i popullit" vazhdoi të mbetet kryetar i "nderuar" komune në Skënderaj, lartmadhëria e të cilit përveç benificioneve tjera, shfrytëzon edhe "dramafilin" e kryetarit për të shkuar "urgjent" në Spital.

E po pse u dashka tani të jap dorëheqje vetëm Ramadan Muja i cili për krahasim me të tjerët u dënua vetëm me kusht, padrejtësisht e për asgjë dhe po aq "rëndë" sa u dënuan edhe homologët nga partia, me shumë precedenca penale.

Për aq më keq, kryetari i Prizrenit gati se u dënua kot dhe siç thotë populli vetëm për një "kerr kashtë" të cilën siç dëshmohet edhe nga gjyqi, nuk e hëngri të gjithën vet, por më tepër ia hëngrën shokët e pa hair, ata që e morën në qafë edhe Mujën plak.

Dorën në zemër, ai si kryetar i Prizrenit ka punuar mjaft, bile më tepër se shumë udhëheqës tjerë komunalë anembanë Kosovës. Me këto që po them mund të bindet secili, sidomos banorët e trevës sonë, për çka do të bëjë vetëm një krahasim të thjeshtë.

Për shembull, jo vetëm vendlindja ime Demjani që kufizohet me fshatrat e komunës së Prizrenit, por edhe në të gjitha fshatrat hasjane që shtrihen në hartën komunale të Gjakovës, prapambetja në infrastrukturë vërehet kudo, bile që nga paslufta përveç asfaltimit të rrugës kryesore, nuk ka ndryshuar asgjë.

Për dallim nga fshati i parë fqinj (pjesë e komunës së Prizrenit) Kushnini, i cili njëjtë si gjithë fshatrat tjera të kësaj komune, vetëm gjatë udhëheqjes së Ramadan Mujës ka të rregulluara për mrekulli të gjithë infrastrukturën rrugore, kanalizimet, si dhe shtrimi i rrugicave me pllaka deri para dyerve të çdo institucioni dhe shtëpie banimi.

Pa u zgjatur shumë në fjalë, shumica e fshatrave hasjane nën administrimin komunal të Gjakovës, përveç ekonomive private, kanë ngelur si mos më keq, derisa në pjesën e administruar nga Komuna fqinje e Prizrenit, që nga fshati Gjonaj, Zymi, Krajku, Romaja, Lugishtë e Hasit, Kushnin, e deri në pjesët më të thella malore mbi Pashtrik, si Mazrekë e Planejë, e tërë infrastruktura rrugore, ujërat e zeza, përrenj e kanalizime, janë rregulluar që të gjitha në mënyrën më bashkëkohore të mundshme për kushtet tona.

Për kryetarin e deritanishëm, barrë e pa kalueshme mbeti punësimi të cilin me gjithë disa rezultate, ai i vetëm e kishte të pamundur ta sanonte sa dhe si duhej, problem dominant ky që mundon gjithë Kosovën.

Pra, duke u nisur nga këto sa u thanë, në Kosovë puna me kryetar të dënuar është bërë modë, ka shumë të tillë këtu, ndaj hiq animet partiake, me vet faktin se pozita as opozita nuk kanë ndonjë kandidat serioz dhe më premtues për mbarëvajtjen e Prizrenit me rrethinë, nuk do të preferoja që Ramadan Muja të dorëhiqej e as shkarkohej nga posti i udhëheqësit të cilin, shikuar nga perspektiva momentale dhe rezervat e përgjithshme fragjile të kuadrove partiake, me gjithë fajësinë e "dëshmuar", tani për tani, jam i bindur se këtu ende nuk ka kush ta bëjë si duhet punën e të parit të komunës edhe nga kandidatët sot për sot të padënuar…

 

Exit mobile version