Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja ka injoruar takimet e mbajtura me strukturat partiake nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Kadri Veselin.
Muja nuk ka marrë pjesë mbrëmë në takimin që strukturat e PDK-së në Prizren, Rahovec, Suharekë, dhe Has, kanë pasur me Veselin.
Burimet e portalit PrizrenPress bëjnë të ditur se Ramadan Muja ka mospajtime me strukturat e parisë(PDK).
Sekretari Organizativ i PDK-së në Prizren, Kujtim Gashi tha se Ramadan Muja ka qenë i ftuar në takimin e mbrëmshëm të PDK-së, pjesë e së cilës ishte edhe Kadri Veseli.
“Ka qenë i ftuar, por nuk ka mundur të vijë për shkak se ka qenë me grip”, tha Gashi.
Sipas tij, Muja,për shkak ftohjes, dje nuk ka qenë as në punë. “Sot ka dalë në punë”, tha ai.
Por deklarimet e Gashit i demanton zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, i cili tregon se kryetari Muja dje (e hënë) ka qenë në punë dhe se nuk ka probleme shëndetësore.
“Dje ka qenë në punë. Edhe sot”,tregon Berisha.
Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, ka qenë mirëpritësi i parë i ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi. Ai nuk ka lënë takim që nuk e ka shoqëruar Thacin, gjatë vizitave në Prizren.