Site icon Telegrafi

Rama viziton zonën e Mifolit: Me gatishmërinë më maksimale se asnjëherë tjetër (Video)

Disa operacione shpëtimi janë zhvilluar gjatë natës ku janë evakuuar shumë banorë të rrezikuar nga përmbytjet.

Angazhimi i grupeve të emergjencave civile, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura zjarrfikëseve dhe spitaleve ka bërë që të sigurohet jeta e banorëve të rrezikuar

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaxhçka dhe ministrin e Bujqësisë, Niko Peleshi, inspektoi zonën e Mifolit pranë Vlorë, një nga zonat me rrezikshmëri të shtuar për shkak të prurjeve të shtuara të lumit të Vjosës.

Kryeministri përsëriti edhe një herë apelin ndaj qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave civile në rastet kur është i nevojshëm evakuimi.

“Dua të përsëris apelin që të gjithë qytetarët në zonat e paralajmëruara si zona të prekshme në vijim, pasi parashihet një fryrje e mëtejshme dhe sipas të gjitha gjasave masive e lumit të Vjosës nga prurjet që vijnë prej matanë kufirit dhe që sjellin pastaj prekjen e shumë zonave në këtë pellg, në mënyrë që të jenë vazhdimit të vëmendshëm e t’i përgjigjen siç duhet, kërkesës së strukturave për tu evakuuar, për t’u spostuar. Ministria e Bujqësisë, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë janë po ashtu plotësisht të angazhuara”, deklaroi Rama. 

Ai shtoi se prioritet mbetet shpëtimi i jetëve të njerëzve.

Kryeministri ka falenderuar edhe opozitën, e cila mbrëmjen e shkuar shprehur mirëkuptimin për të mbyllur seancën në lidhje me buxhetin në një kohë të arsyeshme, për të qenë pastaj në krye të detyrës.

 “Dua në radhë të parë të falenderoj Lulzim Bashën, kryetarin e Partisë Demokratike, i cili dje në mbrëmje shprehu mirëkuptimin për të ndërprerë diskutimet që ishin në rendin e ditës, lidhur me buxhetin, nga ana e opozitës e për të na dhënë mundësinë që ta mbyllim seancën në një kohë të arsyeshme, në mënyrë që të ishin në krye të detyrës”, tha Kreu i Ekzekutivit.

Ai falenderoi edhe ministren e Mbrojtjes, e cila ka qenë vazhdimisht në terren gjatë gjithë natës së bashku me Forcat e Armatosura me grupet e Policisë së Shtetit dhe e emergjencës civile.

“Besoj se kemi gatishmërinë më maksimale se asnjëherë tjetër, sepse kemi nxjerrë mësimet e eksperiencave të shkuara, por edhe kalimi i Emergjencave Civile nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, si rezultat i reformës që ne kemi nisur, ka përfitueshmërinë e vet. Situata ishte e paralajmëruar. Natyrisht që fuqitë njerëzore, logjistike, jo tonat por të çdo shteti, sado të madh, në këto raste janë të kufizuara”, theksoi Rama.

“ E rëndësishme është që deri tani, falë operacioneve të shpëtimit, posaçërisht gjatë natës, këtu ka qenë vërtetë shumë e vështirë, pastaj dita është më e lehtë, është siguruar që të mos kemi humbje në jetë njerëzish. Për fat të keq ka humbur jetën një punonjës i OSHEE-së në krye të detyrës dhe unë i shpreh të gjitha ngushëllimet familjes, me shpresën se do të mundem t’i vizitoj edhe drejtpërdrejt për t’i shprehur ngushëllimet sy në sy, me mirënjohjen dhe respektin më të thellë për njeriun që duke i shërbyer publikut si një punonjës i shtetit u nda fatkeqësisht e tragjikisht nga jeta”, është shprehur Rama.

Kryeministri ka falenderuar prefektët, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer.

“Patjetër dhe kryetarët e bashkive, të cilët pa dallim kanë bërë një punë të shkëlqyer”, ka theksuar Rama.

Kryeministri është shprehur se edhe helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë janë po ashtu tërësisht të angazhuar. Prandaj, ka apeluar kryeministri, “situata ishte e paralajmëruar dhe të jemi në angazhim maksimal dhe të përpiqemi të gjithë të sigurojmë jetën e banorëve të rrezikuar”.

Ndërsa në një postim në facebook, Rama shkruan: “Respekt per të gjithë ata që e kanë vënë shtetin në krah të njerëzve të zakonshëm e familjeve të prekura nga moti i tërbuar

Exit mobile version