Telegrafi

Rama: Vendimi i Gjykatës për 21 Janarin, vrasja më barbare e drejtësisë

“Nuk jam i befasuar për vendimin. Kohët e fundit pyetjes së partnerëve ndërkombëtarë për 21 Janarin i kam dhënë të njëjtën përgjigje, së shpejti vrasësit do shpallen të pafajshëm, se pafajësia i duhet më shumë se vetë atyre, urdhëruesit të vrasësve, që i ka kthyer gjykatat në ekzekutim për drejtësinë. Pafajësia i duhet atij që pas 23 qershorit do të jetë thjesht dhe vetem kreu i PD përballë një procesi publik transparence për shkeljet e kushtetutës, me pasojë humbje jetësh, grabitje pasurish kombëtare apo zhdukje parash të popullit. Sot nuk pati gjykim, por përqafim mes vrasësve të drejtësisë dhe atyre të 4 protestuesve që donin atdhe të drejtë. Nëse vrasjet e 21 janarit ishin krimi më barbar shtetëror, vendimi i sotëm është vrasja më barbarë e drejtësisë në vend pas rënies së diktaturës”, theksoi Rama.

Ai ka garantuar qytetarët dhe familjarët e viktimave të 21 Janarit se drejtësia do të vihet në vend kur Partia Socialiste të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. “Garantoj familjet e viktimave ashtu si edhe vrasësit, se 21 Janari është nga ato ngjarje që historia mëson se as nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht e as nuk mbyllen duke u gjykuar padrejtësisht”, tha Rama.

Sipas Ramës me vendimin e sotëm partnerët ndërkombëtarë të cilët u angazhuan për drejtësinë e 21 Janarit sot ndihen më afër realitetit të një shteti, ku ligjet nuk vlejnë asnjë grosh dhe kultura e pandëshkueshmerisë bën ligjin. /Telegrafi/