Site icon Telegrafi

Rama ua kumtoi mësuesve lajmin për rritjen e pagave

Në vijim të takimeve “Arsimi i gjeneratës tjetër”, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, u takua sot në Tropojë me mësues të ciklit 9-vjeçar dhe atij të mesëm, ku diskutoi me ta mbi reformën në sistemin arsimor në Shqipëri dhe arritjet e saj, si dhe u komunikoi atyre drejtpërsëdrejti lajmin e rritjes së rrogave për mësuesit dhe pedagogët e të gjitha niveleve.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë mësuesit e Tropojës, të cilët me përpjekje dhe angazhim kanë arritur rezultate të kënaqshme në procesin e edukimit dhe të mësimdhënies.

“Do doja t’ju falënderoja ju, emër për emër, të gjithë mësuesit e Tropojës që mundëm që bashkërisht ne të ndërtojmë një histori të re pranë nxënësve, pranë të vërtetave për të sjellë rezultate të reja në sistemin tonë arsimor. Hoqëm dorë nga kurrikula e vjetër dhe unë ju falënderoj të gjithëve ju që jeni përfshirë në mësimdhënien në kurrikulën e re, se falë jush ne bëmë një rrugë krejtësisht të re dhe efecientë. Nuk vendosëm një kurrikul të re, programe të reja, arna-arna, diku një model dhe diku tjetër një model tjetër, por morëm siç është korniza kurrikulare e arsimit parauniversitar, duke mundësuar, falë jush, sigurisht, për herë të parë, një kurrikul të integruar për fëmijët nga 3 deri 18 vjeç”, tha ajo.

Kryeministri Rama, duke marrë fjalën, u komunikoi mësuesve se pjesë e programit për Rilindjen urbane do të jetë edhe mbështetja që do të ofrohet për rindërtimin e plotë të gjimnazit të qytetit, i cili aktualisht ndodhet në gjendje të vështirë për sa i takon kushteve të mësimdhënies, transmeton KosovaPress.

Ndërsa për sa i takon rritjes së rrogave, kryeministri bëri të ditur se nga shuma e përgjithshme prej 100 milionë dollarë e vënë në dispozicion për rritje rrogash, 18 milionë dollarë i përfiton vetëm arsimi.

“Me rritjen e rrogës që do bëjmë për ju, që do të jetë mesatarisht 10 për qind, ndërkohë që gjithë rrogat e ulëta në arsim do të rriten me 35 për qind, faktikisht ne do të kapërcejmë edhe Kosovën, edhe Serbinë, edhe Maqedoninë, edhe Malin e Zi me rrogat e ulëta dhe do kapërcejmë Kosovën dhe Serbinë me rrogat mesatare, që do të thotë që s’është maksimumi, edhe më shumë edhe më mirë, por në këtë fazë besoj se është një sforco jo e vogël që ne duhet të bëjmë dhe do ta bëjmë. Kjo rritje është 100 milionë dollarë që merren nga buxheti i shtetit e shkojnë në buxhetin e familjeve. 18 milione dollarë ka vetëm arsimi”, tha Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version