Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i ka dhuruar “Çelësin e Qytetit” ish-kongresistit amerikan, Joe DioGuardi dhe bashkëshortes së tij, Shirley Cloyes DioGuardi nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Ky çmim iu dha çiftit DioGuard për t’i nderuar dhe respektuar për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për Kosovën dhe kauzën kombëtare në përgjithësi.
Kryetari Rama u shpreh mirënjohës ndaj tyre për kontributin e dhënë ndaj Kosovës në situatat kombëtare në të cilat ishte ndodhur Kosova.
“Përpjekjet tuaja të përbashkëta kanë gdhendur trashëgiminë e unitetit, forcës dhe lidhjeve të pathyeshme. Në kohët e trazuara të luftës së Kosovës, ju qëndruat si fener shprese, duke bërë që bota të njohë gjendjen tonë, për të pranuar vuajtjet tona dhe për të mbështetur luftën tonë për drejtësi. Avokimi juaj nëpërmjet Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka qenë një mjet shpëtimi për kauzën tonë….. I dashur Joe, trashëgimia jote shqiptare të rrjedh thellë në vena, dëshmi e thënies shekullore se “Gjaku nuk behet ujë”, tha Rama.
Po ashtu, ai u shpreh se populli shqiptarë u jep mirënjohje për çdo hap ish-kongresmenëve që kanë bërë për kombin.
“Është nder im personal, si kryetar i komunës së Prishtinës dhe adhuruesi juaj i zjarrtë që nga fillimi i viteve ’90, t’ju prezantoj simbolin e nderit me duart e mia, dyert e qyteteve tona janë gjithmonë të hapura për ju, ashtu siç kanë qenë dhe mbeten zemrat tuaja të hapura për kauzën tonë. Kongresmeni Joe DioGuardi dhe zonja Shirley Cloyes DioGuardi udhëtimi juaj nuk është vetëm i juaji, është udhëtimi i çdo shqiptari që ka ndjerë ndikimin e avokimit tuaj, udhëtimi i çdo zemre që keni prekur dhe udhëtimi i një kombi që qëndron në këmbë të bashkuar në mirënjohje. Me admirimin më të madh, mirënjohjen e përzemërt dhe respektin e pafund, ju përshëndesim të dyve. Udhëtimi juaj le të vazhdojë të frymëzojë brezat që do të vijnë” shtoi Rama.
Ish-kongresisti Joe DioGuardi, tha se populli shqiptar ka një tregim të suksesshëm. Ai tha se qyteti këtë vit është zhvilluar dhe ka një ndryshim të madh nga vitet e kaluara.
“Që të ua them këtu gjej inspirim, nuk e kam bërë kurrë për para , kurrë për një gjë tjetër përveç vullnetit dhe dëshirës për inspirimin që e kam marr nga populli i cili ka vuajtur. Fjala e cila më pëlqen më së shumti është edukimi, për këtë arsyeje pse po e them këtë, sepse prindërit e mi kanë qenë refugjatë të cilët kanë ardhur në Amerikë, dhe nuk kanë pasur mundësi të edukohen pra ata kanë shkuar që unë të edukohem. Unë kam qenë në kongres se po te dinin shqiptarët se sa janë të suksesshëm, janë me te vërtet, do të vërenin, se ata kanë blerë pa e ndërruar emrin , kanë bërë shërbim të mrekullueshme ku mendojnë është një tregim i suksesshëm në gjithë Neë York-un, dhe dua të them se edhe këtu që erdha pash një ndryshim të madh dhe zhvillim se unë isha para sa viteve këtu dhe me të vërtet qyteti është zhvilluar për këtë ju falënderoj dhe përzemërsisht ju them se keni krijuar një punë të shkëlqyeshme”, tha Joe DioGuardi.
Edhe ish-kongresistja Shirley Cloyes DioGuardi tha se kohën kur Kosova është përballur me okupimin, edhe vet ajo është përballur me realitetin e vuajtur të Kosovës. Ajo u shpreh se Kosovën e cilëson si shtëpi të dytë.
“Është dashur 20 vjet punë dhe përkushtim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Pra vendimi prej vitit 1984 deri në viti 2009 kemi ardhur dy herë në vit, pra kemi parë dhe jemi ballafaquar me realitetin e Kosovës, dhe për këtë e kemi bërë një raport me Kongresin për Kosovën dhe realitetin e saj. Kështu Kosova ka qenë shtëpia ime e dytë”, u shpreh Shirley Cloyes DioGuard.
Ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i ka dhuruar “Çelësin e Qytetit” edhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj. /kp/