Pas deklaratave të bëra në Kosovë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur kundër kandidaturës së Trump edhe në shtëpinë e këtij të fundit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë dhënë për gazetarin Ricard Quest, në CNN, Rama tha se zgjedhja e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë është kërcënim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Deklaratat që po dëgjojmë së fundmi nga Donald Trump janë frikësuese dhe lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara janë nën kërcenim.”, ka thënë ai.
Por gazetari Quest e ka pyetur Ramën nëse është i ndërgjegjshëm që po del nga kuadri diplomatik, duke komentuar zgjedhjet e një vendi tjetër.
“Unë nuk komentova zgjedhjet, nuk jam i vetmi që po sheh këtë shqetësim, edhe liderë të tjerë europian kanë të njëjtin shqetësim sepse Shtetet e Bashkuara janë të rëndësishme përtej kufijve të saj, në sytë tanë Amerika është lideri botëror që ne ndjekim dhe na frymëzon. Dhe ky frymëzim është ndërtuar në vlera dhe principe që bënë Amerikën këtë që është.
Kryeministri Rama ka këshilluar miliarderin nga Nju Jorku të udhëtojë dhe të njohë më shumë botën dhe muslimanët për të parë vlerat e këtij komuniteti. Donal Trump është kritikuar gjerësisht për dek laratë e tij kundër emigrantëve, myslimanëve dhe ngritjen e murit Meksikës.
Rama sot pritet të takojë Obamën, me të cilit pritet të diskutojnë dhe për çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal në ballkan, ato të sigurisë duke qenë se Shqipëria është partner në NATO.
Sigurisht që vëmendje të veçantë pritet të marrin edhe çështjet që kanë të bëjnë me ekstremizmin e dhunshëm dhe koalicionin kundër shtetit Islamik, ku dy vendet janë të renditura qartë në një krah.
Pas presidentit Barack Obama, kryeministrit shqiptar do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FBI, duke përmbyllur kështu vizitën në SHBA. /Telegrafi/