Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, me rastin e 1 Tetorit që njihet si muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, iu ka bërë thirrje vajzave dhe grave që të kryejnë kontrolla.
Ai ka bërë të ditur se me rastin e kësaj dite, në tri qendra të mjekësisë familjare në kryeqytet mamografia do të ofrohet si shërbim falas.
Bëhet fjalë për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, atë në lagjen “Dardania” dhe në “Veternik”.
“Me 01 Tetor të gjithë duhet të vrapojmë për një kauzë shumë të rëndësishme, ndërgjegjësimin ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit. Të nderuara, nëna, motra, gra bëni kontrolle në Qendrat tona të mjekësisë familjare, në tre QMF mund ta bëni mamografinë falas, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, në atë të lagjes ‘Dardania’ dhe në QMF ‘Veternik’. Kontrolli dhe zbulimi me kohë i sëmundjes mund të shpëtojë jetë!”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai gjithashtu ka njoftuar se autobusët e Trafiku Urban tashmë kanë marrë ngjyrë rozë në kuadër të fushatës “Race for the Cure Prishtina”.
“Falënderoj drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë, Dr.Izet Sadiku dhe po ashtu doktorët e bashkëpunëtorët tjerë për punën e palodhshme që po e bëjnë për këtë kauzë të rëndësishme”, ka përfunduar i pari i Prishtinës. /Telegrafi/