Site icon Telegrafi

Rama thyen një tabu, pa fituar sjellje të re

Kryeministri i ri i Shqipërisë në vizitën e djeshme në Prishtinë ka mbajtur para deputetëve të Kosovës një fjalim që shembte disa tabu. Fjalimi ishte i mirëpërgatitur si tekst, ndonëse përfshinte disa mungesa dhe sidomos shmangie nga probleme me të cilat Kosova përballet në raport me fqinjën e vet aq pengmbajtëse për të, Serbinë.

Në fjalimin e Kryeministrit Rama duhej pashmangshmërisht një prononcim për spastrimin etnik që dukshmërisht dhe padukshmërisht shteti serb dhe falangat e shumta të tij po realizojnë në Mitrovicën veriore dhe pjesën veriore të Kosovës. Një qëndrim duhej mbajtur edhe për shmangien e simboleve shtetërore të Kosovës, të cilat po retushohen pas marrëveshjes vijuese mes kryeministrave serbo-kosovarë Thaçi- Daçiç.

Në këtë grup çështjesh apo problemesh që u shfaqën gjatë dhe pas këtij fjalimi në Kuvendin e Kosovës është edhe akti refuzues që grupi parlamentar i LDK-së bëri, duke u larguar në shenjë proteste të mos përmendjes së emrit të Atit politik të Kosovës, ish-presidentit Ibrahim Rugova. Ky akt më shumë se një sjellje politike për llogari të lojës së brendshme politike, duhet parë pse jo edhe si një indulgjencë e atij roli vështirë të uzurpueshëm që mishëroi deri në idolatri ish-kryeministri Berisha në opinionin jo vetëm publik edhe tek udhëheqësia e sotme politike e Kosovës.

Por, këto janë një pjesë e kritikës që kanë mediat dhe analistët, por që njëkohësisht i artikuluan edhe disa subjekte politike dhe liderë partiakë të Kosovës.

Matën kësaj mungese, teksti i fjalimit të djeshëm përbën një model tabuthyes për fjalimet e njohura të udhëheqësve të lartë të Shqipërisë shtetërore gjatë vizitave zyrtare në shtetin që natyrshëm e konsiderojmë pjesën tjetër të hapësirës sonë kombëtare. Gjuha tekstuale e Kryeministrit Rama sfidonte këtë traditë të fjalimeve rutinë, së pari për nëntekstet e fuqishme që mbartin fjalitë. Pasuria stilistike dhe sidomos pesha specifike e fjalive që formësojnë këtë tekst, e bëjnë atë një dokument i cili ka tërhequr jo vetëm vëmendjen dhe shqisat analitike të diplomacisë ndërkombëtare, por më së shumti mund të sjellë edhe shtimin e syçeltësisë të diplomacive dhe politikave të shteteve ballkanike fqinje me Kosovën e Shqipërinë.

Ndonëse në përkujdesje të dallueshme z. Rama rikonfirmoi simetrinë tradicionale të rajonit diplomatik të kryeqyteteve shqiptare( Tiranë-Kosovë) në raport me Athinën dhe Romën. Edhe konceptin e tij për sfidimin e kufirit formal mes dy shteteve Kryeministri Rama në fjalim e formulon me inteligjencë: “Që e djeshmja të mos na kushtëzojë të ardhmen ka vetëm një gjë për të bërë me vijën e padukshme; të mos e shohim”.

Nuk ka një moment që tradhtohet në këto nëntekste të fjalimit të tij, ideali apo deviza e bashkimit kombëtar, destinacioni i integrimit kombëtar si pjesë e tablosë së integrimit evropian të shqiptarëve në tërësi. Por, në mënyrë më eksplicite, në këtë fjalim përcaktohen për konkretizim institucional akte përbashkuese në lëmi dhe fusha të cilat jo vetëm nuk bien ndesh me vijat përcaktuese të diplomacisë dhe gjeopolitikës rajonale e evropiane, por përkundrazi që sanksionojnë procesin real bashkues duke u kryer përmes pistave të fiksuara dhe shtruara nga strategjia dhe projektet e vendimmarrësve ndërkombëtarë dhe sidomos institucionalizmit kontinental.

Ftesa zyrtare për bashkim të Akademisë Shkencore të shqiptarëve, sendërtimi i një tregu turistik kombëtar, kontribuimi në jetën dhe sferat kulturore e sport për ngjyrat kombëtare etj., e rikonfirmojnë tejçimin unifikues dhe integrimin kombëtar shqiptar. Fjalimi i Kryeministrit Rama nuk e tradhtonte apo i shmangej në asnjë fjalë idealit kombëtar për unitaritet dhe organizim bashkues. Ekipi i ministrave shoqërues në Prishtinë dhe mbi gjithçka mbledhja e dy kabineteve qeverisëse në Prizren, shpalosin jo vetëm dëshirën e pazhbëshme ndërinstitucionale për të ecur në rrugën e bashkimit integrues kombëtar, por simbolikisht krijojnë përshtypjen reale të tejkalimit të simbolikës dhe frymës populiste dhe retorike të përdorur deri në bezdi, gjatë 10-vjetëshit të fundit.

I kritikuar gjatë kohës së të qenët kryetar i opozitës si politikani që i mungon vokacioni dhe agjenda diplomatike, z. Rama në vizitën e parë si Kryeministër në Kosovë, ka tejkaluar skepticizmin dhe një tabu, por natyrisht nuk ka fituar dot ikjen nga një sjellje e vjetër e disave. Kjo është e natyrshme për klasat dhe palët e një shoqërie që përbetohet për bashkim rreth flamurit me dy krena.

(Marrë nga: Shqip)
 

Exit mobile version