Telegrafi

Rama thotë se nuk ka gjasa që Shqipërisë t’i rikthehen vizat

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet se Shqipërisë mund t’i rikthehet regjimi i vizave.

“Të gjithë e dinë se kujt i është vënë viza në Shqipëri, askush mos çuditet si e qysh përhapet thashethemet se BE-ja do të kthejë regjimin e vizave! “Non-grata nuk ka shans të hiqet, vizat nuk ka gjasë të vihen dhe opozita e rublave sado të japë shpirt s’ka për të hequr dorë #RublaÇorba”, ka shkruar Rama në Twitter.

Ndryshe, rritja e numrit të emigrantëve të paligjshëm që po kalojnë nëpërmjet Shqipërisë dhe Serbisë për të kërkuar azil në BE, ka sjellë vendosjen në tavolinën e bisedimeve të propozimit për pezullimin e udhëtimit pa viza në Ballkanin Perëndimor.

Partia Demokratike ka deklaruar se Çekia kërkoi rikthimin e vizave me Shqipërinë e Serbinë, me pretendimin se po përdoren si porta hyrëse të emigrantëve të botës së tretë.

Siç raportojnë mediat shqiptare zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo tha se lëvizja pa viza është e një rëndësie të veçantë për shqiptarët dhe kjo kërkesë e Çekisë sipas saj është një motiv më shumë që shqiptarët të protestojnë.

Ndërsa, eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Emilio Çika tha se dokumenti i presidencës çeke të BE që ka propozuar rikthimin e vizave për Shqipërinë dhe Serbinë, është shqetësues.

Në një intervistë për Euronews Albania, Çika u shpreh se shkaqet që çuan në këtë propozim lidhen jo vetëm me të huajt që kalojnë nëpër territorin e Shqipërisë dhe Serbisë, por edhe emigrimi i popullatës së vetë këtyre vendeve, shqetësim që ngrihet nga e gjithë BE-ja.

Eksperti tha se lajmi për mundësinë e rikthimit të vizave për Shqipërinë është lajm i keq edhe për Kosovën.

“Ky lajm është një paralajmërim edhe për Kosovën, që nuk do të liberalizohen vizat për të. Shqipëria nuk ka procese diskutimi me BE si Serbia me Kosovën, por është në negociata për përmbushjen e kapitujve për integrimin në BE”, tha Çika.