Site icon Telegrafi

Rama thërret Metën dhe Bashën për një tryezë të gjerë

Në Ditën e Evropës, në një takim me ambasadorin Soreca, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje Metës dhe Bashës, për të zhvilluar një tryezë të gjerë, ku të shprehet vullneti i përbashkët për integrimin dhe secili të plotësojë detyrat e tij.

“Tanimë që negociatat janë hapur dhe kërkohet përgatitja serioze për konferencën ndërqeveritare me BE-në, plani i punës është detajuar dhe duhet të konsultohet hap pas hapi. Qeveria mban peshën kryesore, por këtu duhet të gjithë aktorët. Ne jemi shumë të angazhuar dhe të interesuar, për t’u ulur në një tryezë të gjerë me Presidentin e Republikës, me kryetarin e opozitës, me të gjithë aktorët e tjerë, përfaqësues të institucioneve të pavarura, në radhë të parë të institucioneve të drejtësisë, në një tryezë ku të shprehim vullnetin e përbashkët. Natyrisht, gjithsecili për të bërë detyrat e tij, por ama për të dhënë mesazh të fortë uniteti kombëtar në këtë proces, ku deri më sot nuk po na rezulton se dikush ka një mendje tjetër.

Ne kemi ngritur edhe grupin negociator, i cili do të udhëhiqet nga një personalitet pa të sharë, në momente të caktuara ka kritikuar edhe qeverinë tonë. Ai është ambasadori Zef Mazi do të jetë kryenegociatori, me një grup të zgjedhur do të jetë regjia e betejës për negociatat. Më vjen shumë mirë që me këtë skuadër, që me këtë ndërveprim intensive të BE, me miqtë tanë ndërkombëtarë, përfshirë edhe SHBA-të dhe ambasadoren, shpresoj edhe me institucionet e tjera, me Presidentin, opozitën brenda dhe jashtë parlamentit, të japim të gjithë një kontribut. Barra jonë është më e madhja dhe ne jemi të gatshëm ta mbajmë”, tha Rama./A2/

Exit mobile version