Drejtori i Informacionit në RTV Dukagjini, Fidan Rama ka thënë se Vetëvendosje po jep sinjale se nuk është e interesuar për koalicion me LDK-në.
Rama, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se zgjedhja e Kryeparlamentarit dhe publikimi i emrave të ministrave është sinjal që tregon se Vetëvendosje nuk është e interesuar për marrëveshje me LDK-në.
Ai ka thënë se zgjedhja e Kryeparlamentarit e ka ndryshuar situatën pasi një pozicion që i ka takuar LDK-së me marrëveshje ka dalë jashtë loje dhe është e pamundur të vazhdohet sikur s’ka ndodhur asgjë, përcjell Telegrafi.
Drejtori i Informacionit në RTV Dukagjini, ka thënë se afati prej 48 orësh që i ka dhënë Presidenti Kurtit është situatë e pa pritur deri më tani.
Ai thotë se gjasat janë që pas këtyre 48 orëve presidenti ta nominoj Kurtin në mënyrë arbitrare si kandidatë për kryeministër.
“Nëse Kurti nuk e merr mandatin, Presidenti mund të shkojë të mandatari i dytë që vjen nga LDK-ja”.
Rama thotë se Kushtetuta e ka një fleksibilitet dhe Presidenti mund të gjejë një arsyetim për të tejkaluar ngërçin e për të mos dërguar vendin në zgjedhje.
“Veprimet e Vetëvendosjes janë sinjale se nuk janë të interesuar të bëjnë koalicion me LDK-në…Unë pashë disa lëvizje jokorrekte të Kurtit ndaj LDK-së”, tha ndër të tjera Fidan Rama./Telegrafi/