Site icon Telegrafi

Rama takon organizatën “Voice of Roma”: Prishtina duhet të jetë për të gjithë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama është duke vazhduar takimet me qytetarë.

Rama së fundmi ka takuar organizatën “Voice of Roma”, ku ka nënshkruar një memorandum për të drejtat e këtij grupi shoqëror, transmeton Telegrafi.

“Prishtina, qytet që të bën për vete! Shumë njerëz që kanë vizituar Prishtinën nuk mund ta harrojnë ndjesinë e bukur dhe të ngrohtë që Prishtina ua ka dhuruar. Forca e këtij qyteti për të na bërë të dashurohemi me të është e madhe. Së bashku me ekipin tim gjatë ditës së sotme patëm një sërë takimesh e vizitash. U takuam me organizatën ‘Voice of Roma’. Kjo organizatë është e angazhuar në krijim e një shoqërie të vërtetë multietnike dhe multikulturore në Kosovë, një shoqëri, ku Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët trajtohen si të barabartë dhe kanë qasje në mundësitë e njëjta sikurse të gjithë të tjerët, një shoqëri, ku këto grupe i njohin të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre dhe janë fuqizuar për t’i ushtruar këto të drejta”, thotë Rama.

Tutje, ai ka njoftuar se ka nënshkruar një memorandum për të drejtat e këtij grupi shoqëror.

“Unë e shoh këtë pjesë të shoqërisë si partnere. Ne duhet të punojmë bashkë për t’i zgjidhur problemet që një shoqëri si e jona të jetë e barabartë kudo pa dallime. Pra, Prishtina duhet të jetë për të gjithë. Dashuria e madhe që kanë qytetarët për qytetin e tyre na tregon edhe njëherë sa shumë duhet punuar dhe angazhuar. Qyteti jonë ka nevojë për secilin. Bashkë për Prishtinën që duam”, ka pohuar ai.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor. /Telegrafi/

Exit mobile version