Telegrafi

Rama takohet me Vuçiqin në Pragë, dalin fotografitë nga darka e liderëve

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zhvilluar një takim jozyrtar në Pragë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Vuçiq përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, ku ka ndarë edhe fotografi nga takimi.

Takimi mes tyre vjen pak pasi Rama bëri thirrje nga Praga për gjetjen e një zgjidhjeje mes Kosovës e Serbisë përmes dialogut, me qëllim shmangien e influencës ruse në Ballkan.

“Aty ku Rusia është më influente është në pjesë të tjera të Ballkanit. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të dalin nga konflikti, na duhet ta mbajmë Serbinë në anën tonë sa më shumë të jetë e mundur. Sa më shumë ta lidhim integrimin evropian më atë të NATO-s, dhe sa më shumë NATO të jetë e pranishme ne Ballkanin Perëndimor, aq më mirë”, kishte deklaruar Rama.

Rama ndodhet në Pragë pasi kryeqyteti çek do të presë duke nisur nga kjo e premte deri të dielën Forumin vjetor Globsec.

Gjithashtu në këtë forum nga Kosova merr pjesë presidentja Vjosa Osmani./Euronews Albania