Site icon Telegrafi

Rama: Skema e re e pensioneve nuk ka më tavan

Nëse reforma e pensioneve do të ishte bërë 20 vjet më parë, shumë pensionistë sot do të përfitonin pensione më të larta është shprehur kryeministri Edi Rama, në takimin e fundvitit me pensionistët. Ai ka shpjeguar skemën e re, sipas të cilës nuk ka më tavan.

“Nëse reforma do ishte bërë 20 vjet më parë, sot jo vetëm ata që kanë dalë në pension pas reformës, dhe përfitojnë pensione shumë më të larta se tavani i bujshëm 220 mijë lekë, po dhe shumë prej ju që keni dalë në pension para reformës, sot do të fitonit pensione shumë më të larta. Sepse skema e pensioneve që ne trashëguam, e pareformuar, ishte një skemë që prodhonte çdo vit 450 milionë dollarë deficit. Që do të thotë se këto para mbuloheshin nga shteti, në vend se të shkonin për investime. Një skemë e formuar në vitin 1993 me logjikën e vitit 1947 që ishte si një skemë piramidale ku shteti zhytej vit pas viti në një defiçit të thellë për të mbajtur në këmbë skemën”, tha Rama.

Kryeministri tha se lufta ndaj informalitetit ka rritur dhe numrin e kontribuesve. “Sot kush del në pension nuk e ka pensionin me tavan. Sot kush del në pension merr një shumë që shkon edhe 400 mijë lekë, për shkak të kontributeve. Dhe nga ana tjetër e kemi rritur numrin e njerëzve që kontribuojnë në një sasi të pamendueshme për shkak se u kombinua lufta kundër informalitetit me interesin për të kontribuar dhe për të garantuar të nesërmen një pension më të lartë”, vijoi Rama.

Ai bëri të ditur se në 9 muajt e parë të reformës janë fituar 100 milionë dollarë. Për më tepër, Rama tha se reforma ka edhe pensionin social, që edhe ata që nuk kanë dhënë kontribut janë përfitues. /Telegrafi/

Exit mobile version