Kryeministri Edi Rama, me syze të stilit të John Lennon ka inspektuar sot punimet e Bulevardit të Ri në Tiranë.
Përmes një albumi fotografik ku shfaqet më tepër ai se sa punimet, kreu i qeverisë ka sulmuar edhe liderin e opozitës Lulzim Basha.
“Po merr formë më në fund, pas katër vitesh të humbura kot nën qeverisjen pa vizion, pa program, pa lidership të Lulëzim Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës, Bulevardi i Ri i Kryeqytetit. Po ndërtohet me ritme të larta parkingu i parë nëntokësor i bashkisë dhe është gati për zbatim projekti, bashkëngjitur bulevardit, i Parkut të Ri Qendror të Tiranës, 6 herë më i madh se Parku Rinia! Po ashtu po ndërtohen platformat e gjelbërimit që u projektuan për të rritur përmasën e gjelbër përgjatë gjithë këtij aksi të ri. Është për të thënë shyqyr që në katër vjetët e humbura, bashkia e vjetër realizoi vetëm 2% të punimeve, sepse këto ndryshime me rëndësi kolosale që i’u bënë projektit do të kishin qenë të pamundura. Sot mund të thuhet pa frikë se Euro2020 Fan Zone e Tiranës, do të mund të spostohet nga sheshi Nënë Tereza në bulevardin e ri, ku hapësira e re urbane do të jetë një spektakël më vete. Një bravo e madhe për Bashkinë dhe kryetarin tonë Erion Veliaj”, – shkruante Rama.