Kryeshefi i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, Rrahim Rama, ka deklaruar se Kosova nuk qëndron keq në fushën e konfisikimit të pasurisë, ku vitin 2016 e kanë përmbyllur me 1 milion euro të vendimeve të prera.
Ndërsa, vetëm në periudhën dhejtor-janar 2016, janë ekzekutuar 73 vendime për sekuestrim.
“Si ka qenë gjendja më herët, tani është përmirsuar. Ne këtë vit kemi përmbyllur me vendime të prera ku përfshihen mbi 1 milion euro. Kjo çështje merr kohë dhe shifra deri sa marrin formën përfundimtare. Për dallim prej viteve të kaluara, kur njerëzit janë dënuar, por nuk iu është prekur pasuria, tani gjendja është shumë më mirë, sepse hulumtohet pasuria dhe shkohet deri te konfisikimi. Ne kemi pasur një rast më herët kur është konfiskuar një motel ku është bërë trafikimi me qenie njerëzore, është konfiskuar moteli me 50 ari tokë dhe dikund 10 vetura e dy banesa. Këto e kanë marrë formën e prerë dhe do t’i nxjerrim në ankand dhe pas shitjes ato para do të kthehen në buxhetin e Kosovës”, ka thënë Rama në Tribuna Channel.
Ai ndër tjerash ka thënë se si agjenci nuk merren me ekzekutimin e aktvendimeve për konfiskim, as nuk marrin pjesë në hetim a inicim. Me këtë, sipas tij, merret prokuroria.
“Ne merremi me këto raste vetëm ateherë kur nxjerret një vendim nga gjykata. Prokuroria dëshmon nëse pasuria buron nga veprat kriminale”, ka thënë Rama.
Ai duke iu kundërpërgjigjur, drejtorit të Organizatës Çohu, Arton Demhasaj, në pyetjen se ligji aktual a mund të iniciojë raste për hetim të pasurive të zyrtarëve të lartë, Rama ka thënë se policia, nga presidenti deri të zyrtari më i thjesht, ka të drejtë t’i hetojë dhe të ngre kallëzim për vepër penale, duke përmendur rastin e zëvendëskryeministrit.