Site icon Telegrafi

Rama së shpejti takim me Tsipras: Marrëdhëniet me Greqinë historike dhe tradicionale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shumë shpejt do të takohet me homologun grek, Aleksis Tsipras. Lajmin e ka bërë të ditur vetë shefi i ekzekutivit shqiptar, në një intervistë për agjencinë greke të lajmeve amna.gr.

Rama ka thënë se së shpejti do të takohet me Tsipras për të zgjidhur çështjet e hapura mes dy vendeve.

I pyetur nëse ishte planifikuar një takim mes tij dhe Kryeministrit grek, Rama u përgjigj: “Ne nuk e dimë se ku, në Tiranë apo në Athinë, por presim të takohemi së shpejti”.

“Unë mendoj se ne jemi shumë afër zgjidhjes së gjithë kësaj dhe kjo do të ishte e mrekullueshme”, shtoi zoti Rama.

Kryeministri i Shqipërisë përshkroi marrëdhënien e fqinjësisë mes Greqisë dhe Shqipërisë si “historike dhe tradicionale”.

“Kjo është një marrëdhënie historike dhe tradicionale e fqinjësisë dhe si gjithmonë me fqinjët ndodh që jo çdo gjë shkon mirë.. Ne e dimë këtë nga fqinjët tanë, me çdo fqinj, qofshin në fshat ose në qytet, ose midis vendeve , është gjithmonë e njëjtë”, vuri në dukje Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version