Mospërfshirja e duhur e grave në listat e deputetëve të Partisë Demokratike ka qenë argumenti me të cilin Edi Rama u është drejtuar grave në fshatin Çepo të Gjirokastrës për të mos e votuar këtë forcë politike.
“Partia Demokratike paguan gjobë se nuk vë dot një grua në listë në Gjirokastër dhe thotë republika e re. Republika e burrave. Kjo është republika e re?!”, tha Rama.
Drejtimi i qeverisë vetëm nga Partia Socialiste, edhe njëherë ka qenë kryefjala e Ramës.
“Je në timon ke të gjithë përgjegjësinë dhe nëse je i detyruar të mbash të tjerë në prehër që të mbajnë dorën në timon, përgjegjësia mbetet e madhe, por vështirësia për të ecur shpejt, drejtë, pa kthesa, ndalesa, lëkundje, tronditje e pengesa është shumë e kufizuar. Unë dua që t’i japim fund bosnjëzimit të shtetit. Bosnja është një shtet federal me komunitete të ndryshme dhe republika më vete. Edhe administrata jonë shtetërore është e copëtuar sikur janë disa republika brenda shtetit dhe mbi çatinë e këtyre republikave janë flamujt e partive”, u shpreh Kryeministri.
Edhe pse ekonomia është rritur me 3.5 përqind, sërish kjo nuk është e mjaftueshme, tha ai, shkruan Top Channel.
“Siç luftuam dhe fituam për të bërë atë që të gjithë thonin që nuk e bënim dot, reformën në drejtësi, do të luftojmë dhe do të fitojmë për ta rritur ekonominë mbi 5 përqind”, deklaroi Rama.
Më herët, kreu i Qeverisë inspektoi dhe punimet për ndërtimin e rrugës që lidh tre bashkitë Fushë-Arrëz, Pukën dhe Mirditën, rrugë e cila ka qenë tërësisht e amortizuar, edhe pse u shërbente më shumë se 50 mijë banorëve të kësaj zone.