Site icon Telegrafi

Rama: Reforma po has në kundërshti

Kryeministri Edi Rama thotë se reforma në drejtësi po has kundërshti të forta. Gjatë fjalës së tij në Akademinë Politike të PS-së, Rama tha se puna për miratimin e reformës po përballet me agresivitetin e të djathtës, e cila nuk ka të bëjë me të djathtën evropiane.

“Shikoni reformën në drejtësi, është kyçi për të çelur përfundimisht derën e negociatave me BE-në, për të kaluar nga një vend kandidat në një vend që negocion në tavolinë për t’u anëtarësuar në BE.

Çfarë e pengon këtë reformë dhe në parim kush mund të thotë dhe mund t’i dalë kundër kësaj nevoje që është historike për shqiptarët?

Askush nuk mund të thotë se është kundër kësaj.

Por është qartësisht evidente që kundërshtia është shumë e fortë sepse reforma në drejtësi është një reformë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, dhe Shqipëria e gjeneratës tjetër nuk ndërtohet pa sakrifica, kosto dhe pandëshkueshmëri për çka ka ndodhur.

Shqipëria e gjeneratës tjetër nuk mund të jetë Shqipëria e pandëshkueshmërisë.

Për të ndërtuar këtë duhet të përballemi me agresivitetin e forcave konservatore, e një të djathte që është primitive dhe që me të djathtën europiane ka pak ose aspak të bëjë.

Kjo është përballje që kemi nevojë për energji të mëdha, ndërveprime të shumta. Është një përballje brenda shoqërisë. Mes atyre që mendojnë se nuk mund të vazhdohet me të njëjtin avaz”, tha Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version