Reforma në arsim është gjëja më e drejtë, dhe ajo duhet të ishte bërë më parë, është shprehur kryeministri Edi Rama në takimin me nxënësit e ekselencës, të vlerësuar nga barometri global i arsimit, PISA 2015. Ai tha se rezultatet e reformës duan kohë që të provojnë me fakte reale.
“Reforma jonë në arsim me këto rezultate është provuar si gjëja e drejtë. Natyrisht që rezultatet e reformës ashtu si çdo reformë duan kohë, duan vite, dhe patjetër që edhe reforma në arsim do të dojë kohë të provohet në faktet reale të jetës përtej mureve të shkollës, si një nxitëse e pazëvendësueshme e një tranforimi të madh ekonomik e social të Shqipërisë. Gjithë kundërshtia e reformës në arsim nuk është përmbajtësore, por ideologjike. Ideologjia e lëmoshës, e qetësimit të gjakrave dhe e uljes së tensioneve për të kaluar radhën. Ideologjia qeverisëse e Shqipërisë për 20 e ca vite ku kushdo që qeverisi nuk mendoi për gjeneratën tjetër, por zgjedhjet e tjera”, tha kryeministri Rama.
Ai i ka quajtur model frymëzimi nxënësit e ekselencës.
“Dua që ta dini se jeni model frymëzimi, për mua personalisht dhe për të gjithë ata që në Shqipëri kanë zgjedhur të guxojnë të shpresojnë që në këtë vend mund të bëhet sukses, dhe së bashku mund të bëjmë sukses. Të gjithë ata që kanë zgjedhur rrugën e vështirë që nuk kalon nga kafja, nga orët e lira që i krijojnë vetes duke lënë orët e mësimit, nuk kalon nga 1001 justifikimet dhe fajësimet e të tjerëve për një gjendje që mund të mos jetë optimale, por kalon nga vullneti i hekurt për t’ia dalë”, tha Rama. /Telegrafi/