Site icon Telegrafi

Rama i referohet dosjes së Veliajt si “roman 400 faqe pa prova”: I kërkoj mediave që të bëjnë hulumtimin për provat

Teksa pritet verifikimi i masës së sigurisë për Erion Veliajn nga Gjykata e Posaçme GJKKO, kryeministri Edi Rama zhvilloi një dëgjesë publike me grupin parlamentar socialist, me fokus arrestimin në detyrë të kryebashkiakut të Tiranës dhe dosjes së SPAK ndaj tij.

Për kreun e qeverisë në atë dosje 400-faqëshe është vetëm një tregim dhe nuk ka prova. Ai i kërkoi mediave të hulumtojnë për provat.

“Është shumë e rëndësishme që ne të jemi të vëmendshëm për të mos harruar asnjëherë që ne jemi garancia e pavarësisë së prokurorisë dhe Gjykatës Speciale dhe arsyeja pse mendoj që kjo dëgjesë duhej bërë është se nuk ka një mundësi tjetër dhe hapësirë tjetër për të thënë të vërtetën tënde në një mjedis ku e vërteta shqelmohet pa pushim dhe ku faktikisht dhe ku unë akoma nuk kam parë dhe shpresoj që media të kërkojnë dhe tregojnë; ka prova apo nuk ka prova. Sepse të thuash blerje online 800 mijë blerje online për bizhu e fustane, ndërkohë që kryetari i bashkisë nuk vesh fustane dhe nuk përdor bizhu dhe të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në një dhomë paraburgimi duhet të tregosh provat. Nuk kemi më çfarë të diskutojmë dhe as çfarë të vëmë në dyshim. Provat është shumë e thjeshtë. I kërkoj mediave që të bëjnë hulumtimin për provat. Në atë roman 400 faqesh nuk ka prova ka vetëm një tregim shumë të ngarkuar e ndërlikuar me gjithfarë personazhesh, por nuk ka prova”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij Rama tregoi edhe sesi qëndron e vërteta mbi emërimin e Gentiana Sulaj në postin e zëvendësministres. Sipas tij emri i saj u propozua nga kryetarja e Kuvendit kur PS ishte në koalicion.

“Dhe një element të thjeshtë që unë e di. Aty thuhet që Erjon Veliaj ka bërë zv.ministre gruan e një biznesmeni pasi ky i fundit e ka marrë me avion diku. Nuk di a ka pasur një udhëtim më parë por që të arrish në konkluzionin se zv.ministrja është vendosur si rezultat i atij udhëtimi këtë mund ta bësh në dy rrugë ose me shkollën e sigurimit të shtetit, çfarë bëje ti në veturën e ambasadës jugosllave? Ose ta kesh të provuar. Ndërkohë që zv.ministrja është e vendosur me kërkesë të kryetares së kuvendit kur ishim në koalicion. Ma ka kërkuar që të flas me Erionin dhe të vendoset kjo grua që unë nuk e njihja, se është pranë nesh, është e pavarur dhe është vajzë e mirë. Kjo është e vërteta. Si mund ta shkruash ti në një aktakuzë penale këtë? Provat janë ato që e ndajnë këtë punë dhe nga ana tjetër është beteja e saj dhe jo beteja jonë”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh i vendosur të dëshmojë për intimidimin e njerëzve, ndërsa solli në vëmendje standardin e drejtësisë, kur foli për marrjen me forcë nga rruga të një artisti, teksa çonte fëmijën në kopsht.

“Beteja jonë janë standardet. Unë jam dëshmitar dhe jam gati të dëshmoj, janë intimiduar njerëz, i kam takuar unë kam folur unë me ta, pa asnjë lidhje me Erionin se janë njerëz në botën e artit dhe kulturës dhe dikush më ka thënë që filani s’është në gjendje të rëndë psikologjike se e kanë marrë, i kanë marrë telefonin dhe nuk ia kanë kthyer më dhe e kam marrë me tel e gruas dhe kam dëgjuar një grua nga ana tjetër e telefonit që vetëm qante dhe pastaj jam takuar me personin. Mua personalisht më ka ardhur turp kur kam menduar që sot jam kryeministër dhe ndjehem i pafuqishëm karshi një personi që më ka kujtuar veten time. Unë pak me i prapë se ai se nuk u shokova psikologjikisht kur më çuan të Braka. Më thoni një person, nuk figuron ai, është një person që nuk e di për çfarë është thirru, për arsye të aktiviteteve kulturore. Si mund të merret në rrugë një baba që është duke çuar fëmijën në kopsht me karrocë. Hajde me ne! Ku jemi këtu ne?”

Sipas Ramës edhe pse i ngushëllon fakti për pavarësinë e gjyqësorit që kjo qeveri sipas tij, ka miratuar fonde të jashtëzakonshme, këto thotë ai janë shenja abuzimi me pavarësinë.

“I vetmi lajm ngushëllues është që pavarësia është e plotë mirëpo këto janë shenja që abuzimi me pavarësinë është real. Si mund të merret një prind me fëmijën 3 vjeç në karrocë në rrugë dhe ti thuhet hajde me ne në mëngjes. Si mund ti tregohet dikujt nga dritarja? Ai është profesor është njeri i artit ka nderuar Shqipërinë nga ta dijë ai është burgu ai. Atje mund të përfundosh dhe mendo për djalin 3 vjeç. Ku jemi këtu ne dhe vijmë te standardet, si ka mundësi Ulsi, ministër i drejtësisë dhe ju të gjithë njerëzit e drejtësisë dhe ti kryetar i komisionit të financave që kjo shumicë ka miratuar fonde të paimagjinueshme, fondi i mbrojtjes dhe drjetësisë, paga që nuk krahasohen me pagat e askujt këtu, fonde që nuk janë parë kurrë në historinë e këtij shteti për drejtësinë dhe këta nuk kanë mjetet që të regjistrojnë intervistat me personat që marrin në pyetje. Ku jemi këtu ne? Në çdo film sa herë që dikush atje te dhoma e hetuesve e para i tregohen të drejtat dhe e dyta i shtypet regjistrimi, këtu Filip Çakulin të merrnin dhe ti bënin kontratë dhe ti thoshin hajde na ndihmo të regjistrojmë njerëzit që vijnë. Ç’lidhje ka kjo me ne këtu? Ne këtu në fund të ditës kemi kusurin e baltës më të madhe dhe kemi dhe mikrofonin. Si mundet ne dhe kushdoqoftë sikur të kishim inspektor të lartë të drejtësisë, e kemi”.

Exit mobile version