Telegrafi

Rama reagon sërish për tragjedinë në Himarë: Ata që duan ta kthejnë këtë vdekje në luftë politike, tregon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre

Foto: Arkiv

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me tragjedinë që ndodhi dje në Himarë, ku një 7 vjeçare humbi jetën si pasojë e goditjes nga një skaf, derisa e njëjta ishte duke u larë në det.

Rama përmes një sërë postimesh në Twitter, ka shkruar se tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor.

“Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor, janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë, në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë”, ka shkruar Rama.

Lexo po ashtu Një ditë pas tragjedisë në Himarë, plazhi i braktisur – vetëm një kukull shihet te shezllonet

Ai ka adresuar edhe kritika ndaj atyre që thanë se shteti ka dështuar me krijimin e kushteve të sigurisë për këtë sezonë turistike, duke thënë se ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar.

“ Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurte ,me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër! Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s’ekzistonin! Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre”, ka shkruar Rama.

Kryeministri ka uruar edhe njëherë që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi. /Telegrafi/