Site icon Telegrafi

Rama reagon për anulimin e “Sunny Hill”: Dështimi i këtij festivali është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën

Foto: Arkiv

“Sunny Hill Festival 2022” u bë e ditur se është anuluar në Prishtinë dhe se tashmë do të ketë një lokacion të ri, do të zhvendoset në Tiranë.

Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e festivalit e gjithashtu edhe nga themeluesi i “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa.

Ish-vokalisti i grupit “Oda” në një postim të bërë në Facebook u shpreh i dëshpëruar në lidhje me anulimin e festivalit, gjersa një shkrim ia dedikoi edhe krerëve të shtetit.

Një reagim në lidhje me këtë e ka bërë së fundmi edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Lexo po ashtu Anulimi i “Sunny Hill Festival 2022” në Prishtinë, letra e Dukagjin Lipës të cilën ia ka dedikuar krerëve të shtetit

Rama thotë se ky dështim është humbje jo vetëm për Prishtinën, por edhe për gjithë Kosovën.

Postimi i plotë i Ramës (pa ndërhyrje):

“Të nderuar qytetarë të Prishtinës,

Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, Sunny Hill, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë.

Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.

Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.

Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit.

Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit”. /Telegrafi/


Exit mobile version