Komuna e Prishtinës i është përgjigjur pozitivisht Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për kërkesën e saj drejtuar institucionit lokal për leje-ndërtim të Xhamisë Qendrore në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një shënimi në Facebook ka është lavdëruar për “vënien në binarët e duhur” procesin e ndërtimit të xhamisë.
“Ky proces u shoqërua me procedura të stërzgjatura, me pajisjen e BIK-ut me kushtet ndërtimore në vitin 2017, të cilat u plotësuan me ndryshime më vonë në vitin 2020, kur edhe u pajisën me lejen për sigurimin e gropës së gërmimit”.
Rama thotë se qytetarët e lagjeve që ndërlidhen me xhaminë e re duhet ta gëzojnë të drejtën të praktikojnë fenë e tyre në mënyrë të dinjitetshme.
“Qytetarët e lagjeve ‘Dardania’ e ‘Ulpiana’ duhet ta gëzojnë të drejtën të praktikojnë fenë e tyre në mënyrë të dinjitetshme. Andaj, jemi të lumtur që më në fund, këtë proces sot e përmbyllëm me lëshimin e lejes ndërtimore për ndërtimin e këtij objekti fetar”.
Sipas vendimit që e mbanë datën 13 qershor, Bashkësisë Islame i lejohet ndërtimi i kompleksit “Xhamia Qendrore” në Prishtinë.
“I LEJOHET kërkuesit, Bashkësisë Islame të Kosovës ndërtimi i Xhamisë në Lagjen Dardania në Prishtinë, në kuadër të Planit Zhvillimor Komunal të Prishtinës”, thuhet në vendimin e komunës së Prishtinës.
Ndërtimi i kësaj xhamie të madhe ka qenë kërkesë e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) që nga përfundimi i luftës, me argumentimin, se në xhamitë ekzistuese nuk ka vend për falje të besimtarëve musliman.
Bashkësia Islame kërkonte që Xhamia e Madhe të ndërtohet në qendër të Prishtinës, por Komuna e Prishtinës kishte vështirësi në gjetjen e lokacionit.
Pas shumë debatesh e negociatash që kanë zgjatur me vite, Komuna e Prishtinës dhe BIK-u u pajtuan që xhamia të ndërtohet në lagjen Dardania, në shesh-parkimin e Telekomit të Kosovës.
Guri themeltar i xhamisë është vendosur në vitin 2012, por që nga ajo kohë deri në fillimin e punimeve ka pasur vështirësi në realizimin e projektit nga BIK./Telegrafi/