Telegrafi

Rama i reagon Berishës e Metës: Pse votuat pro Raportit të Dick Martyt në Këshillin e Evropës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish rreth zhvillimeve të fundit të Gjykatës Speciale, ku tashmë janë konfirmuar aktakuzat për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rama ka pyetur kundërshtarët e tij politikë në Shqipëri, se pse kanë votuar raportin e Dick Marty në Këshillin e Evropës, transmeton Telegrafi.

“Sali pse e votove pro Raportin e Dick Marty në Këshillin e Evropës, kur ne e votuam kundër apo doje të mbroje Kosovën nga Hashimi? Po ti Ilir pse e votove pro Raportin e Dick Marty apo s’të pyeti Haxhinasto? Lulëzim ke gjë për të thënë apo s’ta lejon sekreti hetimor?#KrenarpërPS”, ka thënë Rama në reagimin e tij në Twitter.

Ndryshe, javën që lamë pas, Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzat për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ish-kreun e PDK-së, Kadri Veseli, kryetarin e këshillit të përgjithshëm të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, dhe shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Ndërkaq, në aktakuzën e konfirmuar për Thaçin, Veselin, Haradinaj dhe Krasniqin thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. /Telegrafi/