Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetari i PS-së, Edi Rama, u ka kërkuar të martën qytetarëve të Burrelit që të mbështetin PS-në në zgjedhjet e 25 qershorit, për të pasur investime dhe mundësi në katër vjetët e ardhshëm.
Ai gjatë një takimi elektoral me banorët e këtij qyteti, nuk ngurroi të akuzojë kreun e PD-së Lulzim Basha për moszbatim të barazisë gjinore në listat e kandidatëve për deputet.
Rama u bëri thirrje grave e vajzave të mos votojë PD-në, e cila sipas tij i lë ato në kategorinë e dytë.
“Unë u them të gjitha grave dhe vajzave mos e votoni Partinë Demokratike dhe mos pranoni që gratë dhe vajzat të trajtohen si qenie të kategorisë së dytë në pjesën e poshtme të listave atje ku fillon edhe seria e dytë”, tha Rama.
Ai ka folur edhe për mungesën e investimeve në Burrel, duke thënë se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të mungesës së ideve dhe projekteve nga kreu aktual i Bashkisë së këtij qyteti.
Rama tha se qytetarët nuk mund të presin asgjë nga Basha, pasi ai në katër vite në Bashkinë e Tiranës nuk bëri asgjë.