Telegrafi

Rama: Qeveria nuk është e gatshme të zgjidhë krizën

“Hetimi të fillojë (i materialeve zgjedhore) një orë e më parë”, tha Rama, duke theksuar se ky do të ishte shpëtimi i zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Rama kërkoi që Berisha t’i japë përgjigje ofertës së re të opozitës, e cila kërkon hetimin e materialeve zgjedhore të zgjedhjeve të fundit nacionale dhe jo të fletëve të votimit.

Kryetari i socialistëve tha se ai vetë ia ka lënë në tavolinë ofertën e cila sipas tij do të çojë drejt zgjidhjes së krizës politike. Ai shtoi se qeveria nuk është e gatshme të zgjidhë krizën dhe i kërkoi kryeministrit të mos pengojë transparencën e atyre zgjedhjeve.

“Oferta jonë e re është e vetmja zgjidhje për krizën politike”, tha Rama, duke shtuar se kryeministri Berisha ka dështuar në qeverisjen e vendit.

Ai kërkoi që kryeministri t’i hapë rrugë hetimit të materialeve zgjedhore, për t’i hapur rrugë reformës zgjedhore dhe mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme lokale.

“Nuk ka zgjedhje të ardhshme në Shqipëri pa hetuar materialet zgjedhore”, tha Rama, duke shtuar se Berisha duhet të largohet. /Telegrafi/